User:Valtida Shukriu/sandbox

File:Dskjk

MUHAMED SHUKRIU (1926 - 2010): Studiues dhe menaxhues i trashëgimisë kulturore. U lind në Prizren, nga prindërit Firdeze Rotlla dhe Hysein Rashka. Në vendlindje kreu shkollimin fillestar, ndërsa Fakultetin Juridik e përfundoi në Universitetin e Prishtinës. Pjesën e madhe të jetës ia përkushtoi mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, së pari të Prizrenit e rrethinës dhe më pas edhe më gjerë. Mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore e zbatoi sipas parimeve të konventave ndërkombëtare, pa dallime të përkatësisë etnike dhe fetare.

Themeloi dhe ishte drejtor i Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore dhe të Natyrës - Prizren (1967-1981). Në kuadër të këtij institucioni ishte ideator dhe realizues i një sërë ndërmarrjeve me interes kapital, si janë: • Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, • Muzeu i Elektro-Ekonomisë së Kosovës, • Muzeu Arkeologjik, • Hamami i Gazi Mehmed Pashës, • Xhamia e Sinan Pashës dhe realizimi në të i Muzeut të Dorëshkrimeve Orientale, • Shtëpia e Musa-Efendi Shehzades, • Manastiri i Kryeengjujve, • Kisha e Shën Nikollës –Tutiqëve nën Papas Çarshi, • Minarja e Xhamisë së Arastës, • Kapela e Shtjefën Gjeçovit në Zym dhe vendosja e tabelës përkujtimore në vendvrrasjen e tij në Has e shumë të tjera.

Me përkushtim veproi dhe në suazat e studimit dhe të mbrojtjes së natyrës, në veçanti të Kanjonit të Lumbardhit të Prizrenit dhe të specieve që jetonin në të.

Vlerësim meritor për kontributin e tij për trashëgiminë kulturore është Raporti teknik i ekspertëve të UNESCO-s i M. V. Planque dhe J. Sonnier (Rapport technique PP / 1975 - 76 / 3.411.6). Në raport vlerësohet mbrojtja institucionale e trashëgimisë kulturore dhe ambientale të Prizrenit, përfshirë dhe themelimin e Muzeut të Elektroekonomisë së Kosovës. Ky muze, i vetmi në hapësirat rajonale dhe karakteristik për arkitekturën e saj dhe ambientin pitoresk, ishte në hap me qasjet e reja ndërkombëtare për krijimin e muzeve që paraqesin historinë e zhvillimit industrial të një vendi.

Themeloi Muzeun Arkeologjik, duke e shndërruar në muze Hamamin dhe Sahat Kullën pranë kishës së Shën Prendës (1975). Edhe ky muze ishte i veçantë për nga natyra dhe në të u vendosën materialet arkeologjike nga hulumtimet në nekropolin tumular të Romajës, lokaliteti i Vërmicës, Kalasë së Prizrenit, materialeve të Manastirit të Kryengjujve që i mori nga Shkupi etj.

Organizoi përnjohje dhe gërmime arkeologjike në Kalanë e Prizrenit (1969), në tumat e Romajës (1970) dhe në lokalitetin arkeologjik të Vërmicës (1974-1975). Për këtë të fundit u akuzua nga viti 1981 nga Beogradi se “shkatërroi” varrezat mesjetare “sllave”, ndonëse gërmimet i zhvilluan 3 arkeologë serb dhe 1 shqiptar dhe objektet e lëvizshme u konservuan dhe u vendosën në kohë rekorde në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit. Madje, edhe analiza preliminare e antropologut fizik hungarez Nemeskery konstatoi se varret nuk ishin sllave.

Me bashkëpunëtorët përpiloi projekte studimore për revitalizimin e Kalasë së Prizrenit, Luginës së Drinit të Bardhë nga Gjonaj deri në kufi me Shqipërinë dhe të tjera.

Menaxhoi studimin antropologjik të nekropolit mesjetar të Vërmicës, hapjen e varrit të Ymer Prizrenit (Kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit) në Ulqin, si dhe të rikonstruimit fizik të tij, të studiuar dhe realizuar nga antropologu fizik hungarez J. Nemeshkeri dhe skulptori kosovar A. Çavdarbasha.

Gjeti varrin e Isa Boletinit dhe të bashkëluftëtarëve të tij në Podgoricë, pas hulumtimeve shumëvjeçare (1973-1998) dhe projektit të hartuar më 27.3.1979. Kontribut të madh ndërkohë ka dhënë Mulla Idriz Demiri, Kryetar i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, i cili ka ofruar dhe informatën e fundit se varreza e vjetër muslimane e “Pobregut“ do të prishej. Bashkë me Remzi Muratin, nipin e Isa Boletinit, M. Shukriu i zhvarrosi eshtrat dhe i solli në Kosovë 14.11.1998. Përpjekjet dhe sjellja e mbetjeve mortore ishin me rreziqe të shumta pasi që Kosova ishte nën okupimin serb dhe çdo veprim ndërmerrej në fshehtësi të plotë. Eshtrat u sollën fillimisht në Prishtinë dhe pastaj u vendosën fshehurazi në oborrin e xhamisë së Haxhi Veselit në Mitrovicës. Për vendvendosjen e fshehtë të eshtrave dinin vetëm pak persona: Muhamed Shukriu, Latif Berisha, Mulla Osman Murati dhe Remzi Murati. (Mulla O. Murati i zhvendosi eshtrat më 2004 dhe vendndodhjen e re e tregoi në vitin 2011, kur mbetjet ia dorëzoi Komunës së Mitrovicës). Në mars të vitit 1999 dorëzoi në Presidencën e Republikës së Kosovës albumin me fotografi rreth hulumtimeve të fazave të ndryshme për zbulimin e varrit të I. Boletinit.

Pas shumë vitesh të hulumtimeve dhe bashkëpunimit me diasporën shqiptare në Turqi, në veçanti me shokun e tij prizrenas z. Kajragdiu, konstatoi vendin e saktë të varrit të Avdyl Frashërit (1839-1892). Më pas iu drejtua Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me kërkesë që t’i merrnin mbetjet mortore të kolosit shqiptar, gjë që u realizua në 100 Vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1987.

Kujdes të veçantë i kushtoi krijimit të kuadrove profesionale të Prizrenit dhe i mundësoi disa prej tyre që të specializoheshin në Itali, për konservim, etnologji etj.. Si rezultat, Prizreni kishte dhe specialistin për konservimin e metalit dhe të qeramikës, si dhe punëtorinë e veçantë te mulliri i parë i Marashit.

Themeloi dhe Muzeun e Revolucionit të Kosovës, por për motive politike u nxor në pension të parakohshëm në vitin 1981. Në vitet 1999-2001 u bë sërish drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Komunës së Prizrenit dhe që në nismë bëri rikonstruimin e Ndërtesës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të djegur nga forcat serbe në vitin 1999. Në Vërmicë bëri dhe godinëzën ku i vendosi eshtrat nga nekropoli mesjetar, me qëllim të hulumtimit më të detaizuar të tyre, pas analizës preliminare të bërë nga antropologut fizik hungarez Nemeskery ku konstatohej se varret nuk ishin sllave.

Ishte një ndër nismëtarët e themelimit të Shoqatës Gjithëshqiptare për Ruajtjen e Monumenteve Kulturore-Historike me seli në Prizren (1991) dhe kryetar i Degës së Prizrenit të Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur (1990-1995).

Në vitin 2001 botoi monografinë “Prizreni i lashtë: morfologjia e ecurive për ruajtjen e kulturës materiale” (Shtypshkronja “Kosova”, Prizren).

Botoi dhe artikuj në revista shkencore e gazeta: • “Fakte për vdekjen e Ymer Prizrenit – kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Gjurmime Albanologjike 20 Seria e shkencave historike, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1990. • “Vlerat arkitektonike-folklorike dhe marrëdhëniet pronësore në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 1981. • “Prizreni – qytet muze – profilet ambijentale në kohë dhe hapësirë, njerëzit dhe ambienti jetësor” 1, Beograd, 1977. • “Jahja Brika (1919-1944)”, Kosova 5, Instituti i Historisë, Prishtinë, 1975 • “E vërteta për burgosjen e Nijazi Malokut”, Zëri i Rinisë nr. 1389, Prishtinë, 1990 etj.

Veprimtaria e tij e gjatë jetësore, ndonëse e motivuar me baza të barazisë njerëzore, kombëtare e fetare, kishte dhe pasoja. Në vitet e 60-ta të shek. XX ngeli 1 vit pa punë dhe pa të ardhura, andaj planifikoi që të shpërngulej me familjen në Zarë të Kroacisë dhe të hapte dyçan fotografi. Pengesat për veprimtari nga udhëheqësia komuniste lokale i kishte të vazhdueshme. Në mesin e tyre ishte dhe refuzimi i projektit për revitalizimin e Kalasë së Prizrenit dhe vendosjen e teleferikut, kur Sllovenia ofroi të financonte, me kusht që realizimin e projektit ta shfrytëzonte për 10 vjet.

Për motive politike u arestua dhe u burgos sërish nga regjimi serb, të nesërmen e ditës që u takua me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar të Anglisë në shtëpinë e tij në Prizren.

Si i ri dhe i prirur nga idealet për barazi, gjatë Luftës II Botërore ishte partizan në Brigadën VII të Kosovës, por hoqi dorë nga ofertat për karierë ushtarake duke i parë lojërat politike të kohës. Në mesin e zhgënjimeve ishte dhe burgosja e intelektualit dhe shokut të tij Nijazi Malokut. Një kohë punoi referent në Gjykatën e Prizrenit dhe aty pa bashkëshorten e ardhshme Margarita-Gita Mjeda, e burgosur politike si pjesëtare e Lëvizjes Nacional-Demokrate. Me të kishin vajzën Edi, arkeologe, dhe djalin Gem, kirurg.

Për veprimtarinë këmbëngulëse jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore u dekorua me Medalje të Artë nga Presidenti i Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 2000. Në vitin 2017 iu nda post mortem mirënjohja për veprimtari në fushën e trashëgimisë kulturore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në celebrimin e 50 Vjetorit të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren.

Me emrin “Muhamed Shukriu” u vendos çmimi vjetor për menaxhimin e trashëgimisë kulturore nga viti 2017 nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

(Shkruar: Edi Shukriu)