[1]OBJEKTIVAT, REZULTATET E TË NXËNIT DHE KOMPETENCAT

Këto ditë më kanë shkruar shumë mësuese dhe mësues, nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët më kërkonin konsulencë për objektivat dhe kompetencat.

Më poshtë qëndrimi im: Objektivat janë synime, a qëllime, që hartohen mbi këndvështrimin e mësuesit a mësueses se çfarë duan të arrijnë me nxënësit në përfundim të procesit. Ndërsa rezultati i të nxënit është formulim i asaj që nxënësi pritet të dijë, të kuptojë dhe të jetë në gjendje të bëjë, ose të demonstrojë, pas procesit të të nxënit. Ku qëndron dallimi midis objektivave dhe rezultateve të të nxënit?

Kjo lidhet me zhvillimet dhe prirjet e sotme në arsim, të cilat tregojnë një zhvendosje nga qasja tradicionale "mësuesi në qendër" në atë "nxënësi në qendër". Ky model solli ndyshime edhe në konceptim e formulim, nga objektiva mësimorë, më pas në objektiva të të nxënit dhe në ditët e sotme, rezultate të të nxënit. Prandaj, rekomandimi im është që mësuesit të përdorin në planet e tyre të përgatitjes formulimin: Rezultate të të nxënit, në vend të objektivave.

Po kompetencat çfarë janë, pyesin disa.

Termi "kompetenca" përdoret në lidhje të ngushtë me rezultatet e të nxënit. Ky term nuk ka një përkufizim të vetëm të saktë, por në shumë dokumente europiane përfaqëson një kombinim të njohurive dhe zbatimeve të saj, aftësive, përgjegjësive dhe qëndrimeve për të përshkruar shkallën në të cilën një nxënës është i aftë për performancën e vet.

Kompetenca është më shumë se njohuritë dhe aftësitë, shkathtësitë dhe qëndrimet, ajo përfshin aftësinë për të përmbushur kërkesa komplekse, në një kontekst të caktuar. Le të marrim psh., një nga kompetencat, komunikimin. Aftësia për të komunikuar në mënyrë efektive është kompetencë që mund të nxjerrë në dukje njohuritë e një individi për gjuhën, aftësitë praktike të përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe qëndrimet ndaj atyre me të cilët komunikon.

Mësuesit, në planifikimin e punës së tyre, përdorin rezultatet e të nxënit, të cilët kontribuojnë shkallë-shkallë në kompetenca të caktuara. Mësimdhënie me bazë kompetencat nuk ka kuptim dhe nuk mbështetet nga doktrinat e shkencave të edukimit. Por, mësimdhënie që ndërtohet për të arritur rezultate të caktuara të të nxënit me referencë standardet, po.

  1. ^ Jetmir, Krasniqi (22.01.2017). [https:// www.jetmirkrasniqi.com "JetmirKrasniqi.com"]. www.JetmirKrasniqi.com. Yes. Retrieved https://22.01.2017. {{cite web}}: Check |url= value (help); Check date values in: |access-date= and |date= (help)