JALI

   Me të kaluar Llogarain, me pishat e tij magjepsëse, të shfaqet para teje nje kaltërsi ndjellëse Joniane. Rrezet e diellit të cilat bien mbi sipërfaqen e sheshtë të detit, duken sikur vallëzojnë si zana të bukura, e bëjnë atë më magjikë dhe të bëjnë akoma më shumë kureshtarë për ta eksploruar. Kalon Palasën, Dhërmiun, Iliasin, Vunoin. Këtu ndalon. Nuk mund të kalosh në Himarë pa eksploruar më parë Jalin. 
  

Permbajtja 1.gjeografia 2.pershkrimi 3.pritja 4.informacione shtese


Gjeografia

Plazhi I Jalit gjendet rreth pesë kilometra larg rrugës kryesore Vlorë –Sarandë. Për të mbërritur në destinacion të duhet të kalosh midis jeshiles dehëse të ullinjve shekullorë, të cilët janë edhe karakteristikë e bregdetiti. Më pas te shfaqet e kaltera e cila të shoqeronë që nga qafa e Llogarasë e deri në Sarandë e më tej. Duke zbritur kodren, fillon te shfaqet dalëngadalë, si një dhuratë që po e çpaketon, ai, plazhi I Jalit.

  Pershkrimi

Jali është një nga plazhet më të bukur I gjithë bregdetit Jonian. Mund ta quaja fare mirë si një gjysmëishull pasi 50 perqind e tij laget nga uji. I strukur thellë midis malit të Mavrionit (I quajtur nga vendasit), duket sikur mbrohet nga erërat e ftohta që vijnë nga ishujtë e largët italianë. Mbi kryhet e tij para se të fillojnë shkurret karakteristike të një mali, shtrihen kurora të tëra me ullinj. Nje kombinim I adhurueshëm për syrin e çdokujt midis të gjelbres së ullinjve, të shkurreve e të verdhes së kashtës. Ngjyrat e papërsëritshme të ujit, që thyejnë kontraste smeraldi, bluje të thellë, portokallije të ndezur në perëndim, janë një spektakël i vërtetë, para të cilit edhe vetullngrysuri më i pandjeshëm do të dorëzohej.Me të kaluar kanionin e Gjipesë ju do të hasni bokërrimat e Vunoit, monument natyror, të krijuara nga gërryerja e shtresave të tokës nga ujrat sipërfaqësore të cilat kanë krijuar kanale gjigante, buzët e të cilëve ngrihen pothuajse pingul për t’u bashkuar me majat e mbuluara me shkurre të dendura. Ky është treguesi i parë që tregon se jeni afruar në Jal.Plazhi i Jalit, është një nga atraksionet kryesore të të gjithë krahinës, falë peisazhit mahnitës, plazheve të pastra me rërë të bardhë dhe ujrave të kristalta. Famën dhe emrin Jali e krijoi që kur u zgjodh nga elita ushtarake gjatë viteve 70-të, për t’u ndërtuar qendra e pushimeve për ushtarakët, e cila vazhdon të funksionojë edhe sot si e tillë.Bukuria e gjirit do t’ju bëjë për vete që lart në kodër, vend i cili i bën të gjithë të ndalojnë për të shkrepur foto. Kjo është edhe arsyeja se pse në internet fotot më popullore të Jalit, janë pikërisht ato të gjirit nga maja e kodrës.

     Pritja

Dikur nuk kishte asgjë përveç godinës së ushtrisë dhe disa ish-depove ushtarake të cilat u ishin dhënë ushtatakëve të ardhur për ti kthyer në shtëpi banimi për vetën dhe familjet e tyre. Një nga këta ishte edhe gjyshi im. Ndërsa, sot ka shumë hotele, shtëpi pushimi, bare, restorante dhe një resort, Folie Marine. Por, nuk mungojnë as kampingjet për ata më të guximshmit dhe më aventurierët.

   Informacion shtese

Përveç plazhit kryesor, Jali përfshinë edhe një numër të madh plazhesh të vegjel. Në disa prej tyre mund të shkosh nga mali, por disa nuk kanë asnjë mundësi tjetër përveç rrugës detare. Një nga plazhet më të njohur nga të gjithë është plazhi I Akuariumit. Gati 20 minuta me kembe nga plazhi I Jalit dhe shumë pranë plazhit të Livadhit, plazhi I Akuariumit shtrihet një sipërfaqe shumë të vogël. Ka pamjen e nje gjysmë hëne. Me një ujë të kulluar dhe shumë të pastër, pasi aty ka një shumëllojshmëri burimesh. Edhe në gushtë , kur është shumë nxehtë, uji aty qëndron I ftohtë për shkak të burimeve. Ai është shumë I preferuar, veçanërisht nga të rinjtë.